Durrës- Oficeri i Shërbimit informativ të Durrësit, Isa Copa, i cili në orët e para të ditës së martë u gjet i djegur në automjetin e tij, dyshohet se për motive ende të panjohura, mund t’i ketë dhënë fund jetës duke u vetëvrarë.
Grupi hetimor në Policinë e Durrësit ka bërë me dije se nga të dhënat e para në vendngjarje ,49-vjçari Isa Çopa është vetvrarë me armën e punës, ndërsa pak më parë i kishte vënë flakën autoveturës së tij.
Familjarët e tij kërkuan mbrëmë ndihmën e policisë, pasi 49-vjeçari Çopa nuk ishte kthyer në banesë, ndërkohë që më parë, përmes një mesazhi telefonik, ai i kishte dërguar djalit të tij mesazhin e lamtumirës.
Trupi i pajetë i Isa Çopës u gjet në orën 1.00 pas mesnate, në rrugën pranë ish-repartit ushtarak të Curilave, ndërsa brenda autoveturës së djegur ndodhej pistoleta e tij e punës.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar mësohet se në tavanin e autoveturës tip “Opel Corsa”, është gjetur një vrimë dalëse, e shkaktuar nga qitja me armë.
Çopa, i cili prej 11 vjetësh punonte pranë degës së Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës, mbrëmjen e kaluar ka marrë në shtëpinë e së motrës një bidon plastik 5-litërsh, që mendohet se i ka shërbyer 49 vjeçarit për transportin e lëndës djegëse me të cilën është djegur automjeti.
“Nga të gjitha materialet e grumbulluara për hetimin e ngjarjes së rëndë, hetimet e deritanishme të çojnë në përfundimin se kemi të bëjmë me një vetëvrasje-thanë burimet.
Ndërkohë që për sqarimin e rrethanave dhe motiveve të vdekjes së 49 vjeçarit Isa Çopa vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Tuesday, 25 October 2011 18:58