Tiranë – Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, ka kryer sot veprimet proceduriale dhe do të referojë materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprave penale të “Kundërshtimit me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe “Fyerjes për shkak të detyrës të punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim’, në ngarkim të disa prej deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët kanë kryer veprime të dhunshme ndaj forcave të policisë Sipas zëdhënënses së Policisë së Qarkut Tiranë, bëhet fjalë për deputetët Paulin Sterkaj, Tom Doshi, Eduart Shalsi, Sajmir Tahiri, Armando Prenga, Fatmir Xhafa, Besnik Bare, Gazmir Bizhga, Dashnor Peza, Taulant Balla, Fidel Ylli, Armando Subashi, Arben Ahmetaj, Artan Gace, Fatmir Toci dhe Blendi Klosi.
Materialet u referuan në Prokurori edhe për konsumim të veprës penale të “kundërshtimit me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe “fyerjes për shkak të detyrës”, pasi nga hetimet e kryera deri tani, u arritën të identifikohen 7 shtetas, me preçedent kriminalë, që kanë ushtruar dhunë mbi forcat e policisë.
Sipas Policisë së Tiranës “shtetasit Shpëtim Marku, punonjës në Bashkinë e Tiranës me preçedent penal, ?Ibrahim Porja, punonjës në Bashkinë e Tiranës, person me preçedent penal, ?Urim Marku, person me precedent kriminal, Dritan Aga, person me preçedent kriminal, ?Genc Lulja, person me preçedent kriminal, ?Marjo Lulja, person me preçedent kriminal, ?Florjan Serjani, punonjës i Bashkisë Tiranë, ?Ardit Kajd, Drejori i policisë ndërtimore në Bashkinë Tiranë, në bashkëpunim me njëri tjerin, kanë ushtruar dhunë së bashku me disa deputetë të Partisë Socialiste, duke kaluar kordonin e policisë. Përkrahës dhe simpatizantë të tyre kanë qëndruar jashtë portës hyrëse të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke shtyrë, goditur me sende të forta dhe fyer forcat e policisë, me synim, kalimin me dhunë të kordonit të policisë, i cili ishte vendosur me planizimin në pjesën hyrëse të Komisionit, bazuar në vendimin e këtij të fundit”.
Policia e Tiranës ka ftuar sërish pjesëmarrësit në tubim, të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë, të planizuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Thursday, 19 May 2011 19:55