Tiranë – Aktorë të Teatrit Kombëtar interpretuan mbrëmjë poezi të Migjenit, në kuadër të 100-vjetorit të tij të lindjes, në koncertin poetik “Poema Migjeniane”, nën regjinë e Vasjan Lamit, interpretuan Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu, Suela Konjari dhe Dritan Boriçi, të shoqëruar nën tingujt e kuartetit “Akustika”.
Mbrëmja poetike u çel me “Poemën e Mjerimit” që u interpretua nga të gjithë artistët për të vazhduar më pas me interpretimet individuale të poezive si “Shkëndija” nga Dritan Boriçi, “Kangë e pakëndueme” nga Yllka Mujo, “Zgjimi” nga Bujar Asqeriu, “Kanga e dhimbës krenare” nga Suela Konjari, “Vuajtja” nga Fatos Sela, “Baladë qytetase” Yllka Mujo, si dhe poezitë, “Kanga skandaloze”, “Recitali i malsorit”, “Lutje”, etj. Në skenën e TK-së, gjatë interpetimit të aktorëve u projektuan fotografi të Migjenit si dhe dorëshkrime të tij.
Millosh Gjergj Nikolla, i njohur si Migjeni, lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër dhe vdiq më 26 gusht 1938 në moshën 27-vjeçare në një sanatorium pranë Torinos në Torre Pellice. Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u arsimua në Tivar, ku e motra Lenka ishte shpërngulur.
Më 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat “Iliria”, “Bota e re”, etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”, ndërsa vepra e tij e plotë botohet përfundimisht në vitin 1957.
Friday, 14 October 2011 07:28