Tiranë – Teatri i Metropolit do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Teatror “Teatri Ndryshe”, që do të zhvillohet në Podujevë(Kosovë) në datat 14-20 korrik.
Teatri shqiptar do të përfaqësohet nga komedia “Karnavalet e Korçës”, e cila mban autorësinë e Spiro Çomorës, me regji të Elma Doresit. Aktorët Devis Muka, Ina Gjonçi, Marsela Lena, Klodian Hoxha, Lorenc Kaja, Jonida Cunga, Oriana Cama, do të interpretojnë në komedinë ngjarjet e së cilës zhvillohet në Korçë në vitin 1936.
“Karnavalet e Korçës” do të shfaqet në 15 korrik në qytetin e Podujevës në Kosovë. Festivalit ndërkombëtar teatror “Teatri Ndryshe” këtë vit mbërrin në edicionin e tij të katërt, Në këtë edicion pritet të ketë përfaqësim nga shtete si Rusia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Kosova. Maqedonia, etj.
Skena kryesore e shfaqjes, ku ndodhin dhe konfliktohen ngjarjet e komedisë “Karnavalet e Korçës” është e vendosur në shtëpinë e një tregtari të pasur, Nikollaq Jorganxhiut. Dyshja Nikollaq dhe Olimbi, çifti i bashkëshortëve që përfaqësojnë tregtarët e vegjël të Korçës, është një dyshe sa komike, aq edhe tragjike. Ata kanë një synim të përbashkët, ta martojnë çupën e tyre të vetme Afrovitin, por prapamendimet i kanë të ndryshme.
Një mollë e madhe, e kuqe në mes të skenës. Brenda saj, Nikollaqi dhe Olimbia, të cilët zbulohen pasi ngrihet bishti i mollës. Kjo është pamja e parë me të cilën do të ndeshet publiku në skenë. Ndonëse komedia është shumë realiste, ajo është trajtuar në simbole.
Komedia e regjisores Dorezi u shfaq premierë në Teatrin e Metropolit në mars të këtij viti. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 15:34