Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 12:10

Tiranë – Përmbushja e 12 prioriteteve që Komisioni Evropian i ka përcaktuar Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat, do të vijojë me anë të një Plani Veprimi, të propozuar nga Ministria e Integrimit dhe që ka gjetur mbështetjen e antarëve të Komisionit Parlamentar të Integrimit, të maxhorancës dhe opozitës, të cilët në shumicë absolute u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë për Planin e Veprimit.

Ky plan përcakton të gjitha iniciativat dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria dhe institucionet për përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian për Shqipërinë.

Ministria e Integrimit ka propozuar mënyrën për bashkëpunim konkret opozitë-maxhorancë, që është pranuar nga deputetët e opozitës.

Ministria e Integrimit ka ngritur grupin e punës për rishikimin e planit të veprimit. Për çdo prioritet është caktuar një institucion dhe kjo është mënyra me të cilën është monitoruar deri tani Plani i Veprimit. Pra, si institucion përgjegjës shihet qeveria ose ministria respektive, që është përgjegjëse për propozimet apo detyrimet e saj dhe në këtë grup pune do të ketë përfaqësues nga ministritë, institucionet dhe shoqëria civile, të angazhuar për plotësimin e prioriteteve.

Sipas propozimit, roli i ministrisë së Integrimit është koordinimi dhe mbështetja, ndërsa ai i komisionit është shqyrtimi i planit të veprimit dhe monitorimi për zbatimin e tij.

Ministria e Integrimit shqyrton, monitoron, dërgon materiale tek Komisioni për komente dhe më pas komentet merren dhe pasqyrohen në Komisionin Ndërministror të Integrimit për të mbërritur në një miratim të sugjerimeve të përbashkëta dhe për ta miratuar bashkarisht.

Deputetët e opozitës sigurojnë se opozita është e gatshme të bashkojë forcat me maxhorancën me qëllimin kryesor përmbylljen e Planit, monitorimin dhe implementimin e tij.

Rënia dakord e ndjekjes së një Plan Veprimi për përmbushjen e 12 prioriteteve të KE-së është përshëndetur edhe nga ambasadori i delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, i cili ka shprehur kënaqësinë për arritjen e konsensusit, duke u shprehur se më e rëndësishme ishte arritja e institucionalizimit të hapave që do të hidhen në vazhdim për adresimin e 12 prioriteteve që i kërkohen Shqipërisë.

Dërgimi i Planit të Veprimit në Bruksel duhet të bëhet brenda shkurtit të vitit të ardhshëm.