Lajme Shqip Sunday, 29 December 2013 14:57

Policia e Durrësit vë në dispozicion një shpërblim prej 5 mijë eurosh për arrestimin e Gazmir Markut i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me automatik oficerin e Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Durrës. Efektivi, Agron Halilaj ishte pjesë e një patrulle e cila kishte shkuar për të kontrolluar banesën e tij.

Forcat RENEA janë vënë në ndjekje të tij ndërkohë që policia e Durrësit zbardhi sot rrethanat e shkëmbimit të zjarrit mes patrullës së policisë dhe të kërkuarit.

TELEFONATA PER DENONCIMIN E TENTATIVES SE GRABITJES

E gjitha kishte nisur në momentin kur policia kishte në orën 22.00 të 28 dhjetorit 2013, kur në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës kishte mbërritur një telefonatë.  Një shtetas denonconte tentativën për vjedhje me dhunë nga dy shtetas të lokalit të tij në lagjen Nr.15 Spitallë Durrës.

Menjëherë policia kishte nisur krehjen e zonës ndërkohë qëishin ndërmarrë verifikime për disa shtetas me tendencë vjedhjet me dhunë.

SI U PLAGOS POLICI 

“Një patrullë me 3 punonjës Policie është afruar pranë banesës së shtetasit Gazmir Marku, shtetas me disa precedentë të mëparshëm penalë, ku në derën e oborrit të kësaj banese ka marrë kontakt me babain e Gazmirit. Në këtë moment, pa paralajmërim, në një distancë të afërt, ka qelluar me breshëri me një armë zjarri automatik në drejtim të efektivëve të Policisë shtetasi Gazmir Marku. Midis palëve ka pasur një shkëmbim zjarri, si pasojë e së cilit ka mbetur i plagosur në krah oficeri i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Durrës, A.H. Më pas, autori i dyshuar i kësaj ngjarje ka mundur të largohet së bashku me armën e zjarrit”-thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Durrësit.

FORCAT RENEA DHE NJE HELIKOPTER VAZHDOJNE KERKIME

Në ndjekje të tij janë vënë në mënyrë të menjëhershme shërbime të Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës, mbështetur edhe nga forcat RENEA, të cilët kanë vijuar me krehje të territorit përgjatë natës, kontrolle në akset rrugore, banesat ku dyshohej strehimi i autorit. Policia thotë se vijojnë kërkimet me të njëjtin intensitet punën për kapjen dhe neutralizimin e tij, dhe në mbështetje është vënë edhe një helikopter Policie.

POLICI I PLAGOSUR SILLET NE TIRANE 

Oficeri i policisë është shkuar në spitalin e Durrës për të marrë mjekim ndërsa sot paradite është sjellë për mjekim më të specializuar tek spitali i Traumës në Tiranë. Mjekët thonë se gjëndja e tij shëndetësore është e mirë, ndërkohë që ka plagë me armë zjarri në fundin e gishtit të madh të dorës së djathtë. “Po shikohet nëse janë bllokuar tendinat e gishtit. Ky është i vetmi rrezik” – tha një mjek për gazetaren tonë Esmeralda Keta.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në spitalin e Durrësit polici është vizituar edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Z.Saimir Tahiri dhe Drejtori i Policisë së Shtetit.

GAZMIR MARKU ME PRECENDETE KRIMINALE 

Policia thotë se Gazmir Marku ka pasur disa precedentë të mëparshëm kriminalë për vepra të ndryshme penale si vjedhje, përdhunim, dhunë në familje, shkatërrim pronë, etj. Madje gazetari ynë në Durrës Artur Korriku informon se Marku ishte dënuar dhe më parë pasi para disa vitesh kishte qëlluar kundër policisë.

5 MIJE ERUO SHPERBLIM

Policia fton komunitetin që për çdo informacion që mund të ketë lidhje me vendndodhjen e këtij shtetasi të informojë në numrin pa pagesë 129 dhe 126 duke garantuar anonimatin e telefonuesve. Për informacione të vlefshme mbi kapjen e këtij shtetasi vendos në dispozicion shumën prej 5000 Euro dhe garanton se do të ruajë anonimatin./shqiptarja/