Tiranë -Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë i ka bërë sot apel politikës shqiptare që të marrin në konsideratë propozimin e tyre, duke bërë të mundur që për herë të parë, në historinë e saj, Shqipëria të ketë në krye të shtetit një Presidente femër.
Përmes një deklarate për mediat Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë shprehet se “nisur nga fakti se gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë sot përfaqësimin më të ulët politik në vend, ka ardhur koha që partitë politike të mendojnë seriozisht për zgjedhjen e një kandidateje grua për Presidente të Republikës”.
“Në Shqipëri ka një numër të madh të grave me karrierë të shkëlqyer shoqërore, të cilat janë kandidate potenciale për postin e Presidentes dhe zgjedhja e një gruaje në këtë post nuk do të ishte një nder, apo ‘lëshim’ që iu bëhet grave, por një nder që i bëhet pozicionit kushtetues të Presidentit. Zgjedhja e një gruaje në krye të shtetit do ta zbuste klimën e ashpër dhe mosbesuese që mbizotëron në politikën shqiptare dhe do të krijonte një imazh
të rëndësishëm përpara qytetarëve shqiptarë, BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e këtij koalicioni.
Gratë në Shqipëri përbëjnë thuajse 50 % të popullsisë, ndërsa zenë vetëm 14 % të vendeve në Parlament, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet e fundit në Evropë përsa i përket përfaqësimit të grave në jetën politike të vendit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 18:25