Athinë – Shoqatat e mbrojtjes së Epirit të Veriut që veprojnë në Greqi u mblodhën dje në një ceremoni për përkujtimin e “99 vjetorit të shpalljes së Autonomisë së Vorio Epirit”.
Të veshur me veshje tradicionale dhe me flamurin e vorioepirit, ata u mblodhën fillimisht për një meshë në kishën e Shën gjergjit në Athinë dhe pastaj vendosën lule në monumentin e Ushtarit të Panjohur, duke kënduar himnin kombëtar grek e duke hedhur slogane për Epirin e Veriut.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë deputeti i PASOK, himarioti Pirro Dhima dhe deputetët e Agimit të Artë, Kristos Papas dhe Ilia Panajotaros.
Në ceremoni ka qenë i pranishëm, siç mund të shihet edhe në foto, Theofan Kalivioti, kryetar i Rinisë Vorio Epiriote dhe nënkryetar i Rinisë Evropiane të Epiriotëve (i pari majtas). I lindur në Sarandë, ai sipas disa dokumenteve të botuara kohët e fundit, figuron këshilltar në Ministrinë e Punës, pra paguhet prej disa vitesh nga Shqipëria. Madje Aleanca Kuqezi depozitoi në prokurori një padi për ministrin Spiro Ksera, që sipas kësaj partie, paguan një njeri që punon kundër interesave të Shqipërisë.
Në ceremoni merrnin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë dhe partisë në pushtet, si Kristo Janaris përgjegjës për riatdhesimin e popullisve të vecanta në partinë Demokracia e re, të rinj të organizatës së Vorio Epirit dhe përfaqësuesi i qeverisë greke, Avram Gunaris.
Një ceremoni e tillë zhvillohet çdo 17 shkurt, kur organizatat ekstremiste greke përkujtojnë përvjetorin e shpalljes së autonomisë së Vorio Epirit.
Në shkurt të vitit 1914 ajo pjesë që sot grekët e quajnë “Epiri i Veriut” deklaroi autonominë e vet dhe krijoi një qeveri në Gjirokastër me kryeministër Jorgo Zografo. Protokolli i Korfuzit e njohu këtë tokë si njësi autonome nën sovranitetin e Shqipërisë, por ai u anulua nga Konferenca e ambasadorëve në vitin 1921.(LajmeShqip.com)
Monday, 18 February 2013 14:28