Prishtinë-Dhjetëra qytetarë kishin dalw ta prisnin në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, pilotin e njohur shqiptar, Xhejms Berisha, i cili u mbajt i burgosur në shtetin e Eritresë për pesë muaj.
Për lirimin dhe kthimin e tij në Kosovë, një kontribut të veçantë dha zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
Piloti shqiptar ishte ndalur vitin e kaluar në Eritre derisa po lobonte për pavarësinë e Kosovës me misionin e tij “Flying for Kosovo”.
Në konferencën për media, Berisha tregoi për vuajtjet që ka përjetuar atje. I emocionuar dhe me lotë në sy, tha se ka përjetuar trauma të shumta, por tha se nuk ka pasur keqtrajtime. Sipas tij, problemi kryesor për ndalimin në Eritre është fakti që ai ka shtetësi amerikane.
“Problemi kryesor ka qenë që që jam shtetas amerikan. E urrejnë shumë Amerikën. Çdo individ që ka të bëjë me shtetin amerikan, domethënë e konsiderojnë si agjent i CIA-s. Ani pse nuk kam të bëj asgjë me shtetin amerikan, përveç që jam shtetas, kam pasaportën amerikane, unë jam agjent i CIA-s amerikane”.
Pavarësisht vuajtjeve të shumta, Berisha tha se ndihet krenar për gjithçka që ka bërë për pavarësinë e Kosovës.
Pwr lirimin e pilotit Berisha ka kontribuar zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Ai tha se misioni për lirimin e Berishës, ka qenë ndër më të vështirët.
Piloti Berisha falënderoi zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, institucionet dhe qytetarët e Kosovës për lirimin e tij, por ndërkohë drejtoi edhe kritika për Qeverinë, për mungesën e mbështetjes së misionit të tij lobues dhe për mosdhënien e pasaportës diplomatike.
Të gjitha përjetimet Berisha tha se do t’i paraqesë në një libër dhe në një dokumentar, ndërsa shprehur dëshirën që aeroplani me të cilin ka lobuar në 130 shtete të ruhet në muze të Kosovës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 16:38