Lajme Shqip Friday, 21 October 2011 13:00

Prishtinë – Në organizim të Fondacionit për Nënat dhe Foshnjet e Shëndosha, mbahet koncerti i pianistes kosovare me famë botërore, Ardita Statovci.

Ardita Statovci do të përkrah Fondacionin për Nëna dhe Fëmijë të Shëndoshë me një koncert bamirësie, për të përmirësuar kujdesin shëndetësor për nënat dhe foshnjat kosovare.

Fitimet nga koncerti do të shfrytëzohen për zhvillim të programeve në sektorin e shëndetësisë me qëllim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor të nënave dhe foshnjave. Fondet e mbledhura realizojnë projekte në blerjen e materialeve shpenzuese dhe pajisjeve mjekësore që kontribuojnë në zvogëlimin e vdekshmërisë së foshnjeve, por edhe në rritjen e qasjes në shërbimet shëndetësore, ngritjen e cilësisë së këtyre shërbimeve, si dhe në edukimin shëndetësor të nënave.

Koncerti do të mbahet nesër, më datën 22 Nëntor 2011, në Sallën e Kuqe të
Pallatit të Rinisë, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.

Fondacioni për Nëna dhe Fëmijë të Shëndoshë është i angazhuar në
përkrahjen e institucioneve kosovare për kujdesin shëndetësor të
nënave dhe fëmijëve, me barna dhe pajisje mjekësore, me rëndësi jetike në
mbijetesën e foshnjave, veçanërisht të atyre të lindura para kohe.

Ardita Statovci është dalluar herët me talentin e saj, ku në moshën 14
vjeçare ajo u paraqit në koncertin e saj të parë solistik, ndërsa në
moshën 15 vjeçare u pranua në Akademinë e Arteve në Prishtinë,
Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1997 ajo u paraqit në koncertin e
saj të parë në Austri, nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në
Vjenë.

Tashmë për arritjet e saj të jashtëzakonshme ajo u shpërblye me
bursë nga Qeveria Federale Austriake për shkencë dhe hulumtim (BMWF),
për të vijuar studimet pos-diplomike në Itali, në Akademinë Pianistike
në Imola, tek Franco Scala dhe Boris Petrushansky. Ajo u shpërblye edhe me një bursë tjetër nga Ministria Austriake Federale Për Arsim, Art dhe Kulturë, me “Bursë shtetërore” që është një bursë speciale për artistët e rinj të suksesshëm.

Mothers and Babies
http://www.fhmb.org/