Lajme Shqip Friday, 22 February 2013 15:35

TIRANE- Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker, do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Shqipëri. 

Gjatë vizitës dy ditore në Tiranë, Reeker do të takohet me krerët më të lartë të shtetit, me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha, me Ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. 

REEKER- PANARITIT: BASHKËPUNONI PËR PAQE E STABILITET NË RAJON
ORA 14:17- Zyra e Shtypit e Ministrisë së Jashtme zbardh takimin mes e ministrit Panariti me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, z. Phlip Reeker. 

Mësohet se në këtë takim, të dy bashkëbiseduesit konfirmuan nivelin e shkëlqyer strategjik të marrëdhenieve ndërmjet dy vendeve si në aspektin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh si dhe vlerësuan edhe një herë dimensionin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve në përballimin e sfidave të sigurisë globale edhe në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e intensifikimit të shkëmbimeve politike dhe u ndalën veçanërisht në rritjen e pranisë së biznesit Amerikan në Shqipëri dhe në rajon. 

Në takim u disktua dhe për zhvillimet në rajon ku u theksua edhe një herë rëndësia e ekzistencës së frymës së dialogut dhe bashkëpunimit në shërbim të paqes, stabilitetit dhe perspektivës Europiane të Vendeve të Ballkanit Perëndimor.

PANARITI TAKOHET ME REEKER
Ora 11:50 Zëvendës Ndihmës Sekretari Philip Reeker takohet me Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti. Ministri Panariti priti Reeker në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme.(LajmeShqip.com)