Mitrovicë – Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur në takim zv/kryeministrin e Kosovës dhe njëherit ministrin për Administrimin të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq. Në takim u bisedua për gjendjen aktuale në Mitrovicë, me theks të veçantë për situatën e sigurisë në veri.
Kryetari Kastrati e falënderoi zv/kryeministrin Petroviq për mbështetjen e vazhdueshme për Komunën e Mitrovicës, në kontekst të vendosjes së rendit dhe ligjit. Po ashtu, ai theksoi se hapat për normalizimin e situatës në veri, që janë ndërmarrë nga institucionet vendore, në koordinim me ato ndërkombëtare, janë inkurajuese për normalizimin e jetës në këtë pjesë të vendit.
Kastrati e njoftoi zv/kryeministrin Petroviq me masat që ka ndërmarrë komuna karshi situatës. “Ne kemi përshëndetur operacionin për marrjen nën kontroll të pikave doganore në veri dhe vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë atje. Mandej jemi organizuar nëpërmjet mekanizmave komunalë, për të kontribuuar në mbarëvajtjen e situatës”.
Në këtë kontekst, ai tha se prej korrikut është ngritur Qendra e situatave në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në mënyrë që të përcillen të gjitha zhvillimet. Përmendi edhe takimet e shpeshta të Komitetit lokal të sigurisë, ku marrin pjesë përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
“Kemi qenë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha këto struktura, por edhe me popullatën në veri, në mënyrë që situata të jetë nën kontroll dhe të menaxhohet më lehtë”, ka thënë ai.
Kryetari Kastrati, potencoi se barrikadat e vendosura në veri nga grupet kriminale dhe strukturat paralele kanë vështirësuar jetën e qytetarëve. Me theks të veçantë përmendi banorët e Kodrës së Minatorëve, mandej ata të Bistricës, Cerajës dhe Koshtovës. “Barrikadat kanë vështirësuar jetën e qytetarëve të rëndomtë, nga grupet që janë kundër rendit dhe ligjit”.
Ai foli edhe për aktivitetet tjera komunalë karshi situatës në veri. Përmendi ndihmat që ka ofruar komuna për qytetarët e veriut pa dallim të përkatësisë etnike. “Kemi ndihmuar dhe do të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë. Deri me tani pako ushqimore dhe mjete higjienike kemi dhënë për rreth 400 familje të veriut, duke përfshirë shqiptarët, boshnjakët, turqit, por edhe serbët”.
Kryetari Kastrati tha se falë vendosmërisë së strukturave politike dhe atyre të sigurisë, situata është e qetë, por shumë e tensionuar. Shprehu respektin e thellë për pjekurinë e qytetarëve që nuk kanë rënë në provokimet e vazhdueshme të strukturave kriminale që kanë për qëllim eskalimin e situatës.
Zv/kryeministri Petroviq e vlerësoi jetike për normalizimin e gjendjes vendosjen e rendit dhe ligjin. “Barrikadat e vendosura në veri janë duke iu shkaktuar problemet më të mëdha dhe vështirësi vetë qytetarëve serbë”, tha ai.
Në takim Petroviq ka dënuar sulmin që ka ndodhur në veri të Mitrovicës kundër punëtorëve që ishin duke pastruar brigjet e Ibrit në kuadër të një projekti të financuar nga USAID-i.
Ai tha se për normalizimin e situatës është e rëndësishme që paraprakisht të izolohen grupet dhe personat e kriminalizuar në veri. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 September 2011 12:54