Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 15:15

Tiranë – Ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Elida Petoshati, i dorëzoi një ditë më parë Letrat Kredenciale, Guvernatorit të Përgjithshëm dhe Kryekomandantit të Kanadasë, David Johnston.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë këtij takimi ambasadorja evidentoi miqësinë dhe partneritetin e konsoliduar mes Shqipërisë dhe Kanadasë.

Petoshati, siguroi Guvernatorin e Përgjithshëm për përkushtimin e plotë për nxitjen dhe thellimin e mëtejshëm  të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në drejtim të intensifikimit të dialogut politik, bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, etj.

Ajo veçoi rolin e diasporës shqiptare në Kanada, si një urë e fortë miqësie mes dy vendeve.

Ndërsa Guvernatori i Përgjithshëm, David Johnston, vlerësoi faktin që Shqipëria është një partnere dhe aleate e çmuar e Kanadasë në NATO dhe në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan.

Ai theksoi vullnetin e palës kanadeze për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve politike dhe nxitjes së mundësive për investimet kanadeze në Shqipëri.