Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 15:19

Tiranë – Kryetari në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama prezantoi sot, studiot finaliste të përzgjedhura në një konkurs ndërkombëtar për projektin e xhamisë dhe muzeut të bashkëjetesës fetare në Tiranë.

Në fillim të fjalës së tij, Rama theksoi se ky konkurs nuk është pjesë e fushatës, por një nismë e filluar muaj më parë që sot do kurorëzohet me fituesin. Ai e cilësoi këtë një ngjarje e rrallë për qytetin, pasi ka  rëndësi jo vetëm për besimtarët, por edhe për zhvillimin e qytetit.

Sipas Ramës, konkursi për xhaminë është zhvilluar në dy etapa, ku në fazën e parë kanë aplikuar plot 100 studio nga 28 vende të ndryshme të botës, por juria ka përzgjedhur vetëm 5 prej tyre.

Konkursi Ndërkombëtar për projektimin e xhamisë dhe Muzeut të Bashkëjetesës Fetare në Tiranë pritet të finalizohet sot me përzgjedhjen e studios fituese.

Studiot që kanë kaluar në këtë fazë të dytë të konkursit ndërkombëtar të shpallur nga Bashkia e Tiranës janë Andreas Perea Ortega (Madrid, Spanjë), Architecture Studio (Paris, Francë), BIG (Kopenhagen, Danimarkë); Search (Amsterdam, Holandë) dhe Zaha Hadid Architects (Londër, Britani e Madhe).

Të pesta studiot kanë dorëzuar pranë Bashkisë projektin ku përfshihet xhamia dhe Muzeu i Bashkëjetesës Fetare, sipas standarteve dhe sipërfaqes që Bashkia ka përcaktuar. Për këto projekte studiot e projektimit do të paguhen me nga 45 mijë euro secila, pra në një total prej 225 mijë eurosh, fond ky që është dhënë nga qeveria e Kuvajtit.

Në kërkesat e Bashkisë drejtuar studiove të projektimit kërkohet që këto dy ndërtesa publike në qendër të qytetit të kenë elemente të modernes, pra të pasqyrojnë kohën që i përkasin. Projekti për xhaminë duhet normalisht të përmbajë elementet e kultit, por duhet të ketë një arkitekturë moderne.

Normalisht projektet që do realizohen, duhet t’u përmbahen sipërfaqeve dhe kateve të godinave që Bashkia ka propozuar, ndërsa lartësia për të dyja objektet nuk duhet të jetë më shumë se 18.8 metra.

Sipërfaqja për xhaminë është 2.500 m2, ndërsa sipërfaqja për muzeun është 1650 m2. Ndërtesa e xhamisë duhet të ketë salla për mësim, biblioteka, pra të jetë një objekt i lidhur me dijen islame.