Prishtinë – Artisi britanik Aaron Moulton, kuratorja nga Zagrebi, Janka Vukmir, dhe artisti kosovar Alban Muja, janë treshja që do të bëjë përzgjedhjen e fituesit në “Artistët e së nesërmes”.
Galeria e Arteve e Kosovës ka publikuar emrat e jurisë që ia ka besuar të vlerësojë fituesin e konkursit që shpërblen me rezidencë gjashtëjavëshe në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Studio Ndërkombëtare dhe Programi Kuratorial).
Ekspozita “Artistët e së nesërmes” do të hapet më 16 të këtij muaji në GAK, me punimet e finalistëve. Në mars të këtij viti, Galeria e Arteve e Kosovës kishte shpallur konkursin për çmimin “Artistët…” dhe juria në përbërje të Kaltrina Krasniqit, Vesa Sahatçiut dhe Natasa Petsin-Bachelez, në korrik ka shpallur emrat e katër finalistëve.
Brilant Pireva, Luan Bajraktari, Majlinda Hoxha dhe Yll Xhaferi janë ata që garojnë për çmimin. Përgatitjet për ekspozitën janë bërë nën përkujdesje të kuratorit Bardhi Haliti.(LajmeShqip.com)
Friday, 12 October 2012 14:25