Lajme Shqip Monday, 24 August 2015 15:43

Një vlerë e ndryshueshme, që diku ndan e diku bashkon, si në rastin e ‘Family’ të Beskida Krajës, ndërsa buka mbështjell dhe ngjiz në një ritual të shenjtë jetën e çiftit dhe të familjes

Ushqimi, si vlerë kulturore që mbart në vetvete simbolika kuptimplote të shoqërisë ku jetojmë. Një vlerë e ndryshueshme, që diku ndan e diku bashkon, si në rastin e ‘Family’ të Beskida Krajës, ndërsa buka mbështjell dhe ngjiz në një ritual të shenjtë jetën e çiftit dhe të familjes. Ky është koncepti kuratorial, i asaj çka transmetoi artistja Beskida Kraja në ekspozitën “Vakti i butë”, te galeria “Miza”, nën kurimin e Blerta Hoçias. “Dood with experience”, video-instalacioni i Nardina Zubanović dhe “A dinner for there” i Adela Jušić ishin gjithashtu pjesë e këtij bashkëpunimi artistik.

Gjatë një bisede me artisten, ajo na tregon se “Family” ka nisur natyrshëm, si një ide e thjeshtë dhe ekzistenciale për të ngrënin si ritual. “Në ekspozitën ‘Vakti i butë’ ekspozova nga ky cikël fotosh, vetëm një prej tyre, në të cilën isha unë dhe bashkëshorti im, ku na mbështjellë dhe na bashkon një bukë e madhe të cilën e bëra vetë. E kisha të nevojshme ta ndiqja që në brumosje ta lija ‘me ardhë’, siç e thoshte gjyshja ime “ta piqja” e në përfundim ta fotografoja”.

Fotografinë e ka shkrepur djali i Beskidës, i cili shpeshherë është protagonist i punëve të saj. Ndër të tjera, artistja e re shkodrane tregon edhe për fillimet e saj në art dhe ndikimin e babait, artistit Skënder Kraja, në rrugëtimin e saj. “Ai burrë i fuqishëm e skaliti fort tek unë dëshirën për artin, pasionin për të ndjekur atë gjë të pashpjegueshme akoma që kemi brenda qenies sonë”, thotë ajo. /shekulli