Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve shqiptarë njohu një përmirësim në 3-mujorin e tretë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike shënoi një rritje të lehtë me rreth 0.6 pikë përqindjeje, por megjithatë qëndron rreth 12.1 pikë përqindjeje poshtë mesatares së tij afatgjatë.
Përmirësimi i Treguesit të Ndjesisë Ekonomike u përcaktua nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve, industrisë, ndërtimit, si dhe të konsumatorëve. Treguesi i Besimit në Industri shënoi një përmirësim të lehtë me rreth 1.2 pikë përqindjeje, kryesisht falë vlerësimit më pak negativ për situatën e prodhimit industrial.
Por ndërkohë më pak pozitive ishte balanca e situatës së punësimit në sektorin e industrisë. Treguesi i Besimit në Ndërtim u përmirësua me rreth 3.5 pikë përqindjeje, por në raport me ecurinë afatgjatë vazhdon të jetë thellësisht negativ.
Zhvillimet në këtë sektor u ndikuan nga vlerësimi më pak negativ i situatës së punësimit dhe i kërkesës nga bizneset ndërtuese.
Treguesi i Besimit në Shërbime u rrit me rreth 3 pikë përqindjeje. Kontributin kryesor në përmirësimin e besimit e dha vlerësimi mbi situatën financiare, por edhe vlerësimi pozitiv i bizneseve mbi gjendjen e punësimit.
Treguesi i Besimit në Shërbime është i vetmi që qëndorn mbi mesataren afatgjatë.
Treguesi i Besimit të Konsumatorëve vijoi të rritet për të dytin 3-mujor radhazi, këtë herë me 1.8 pikë përqindje. Përmirësimi i besimit konsumator gjatë këtij 3-mujori u ndikua kryesisht nga përmirësimi i balancës mbi blerjet në shuma të mëdha.
Ndërkohë, vlerësimi mbi gjendjen aktuale financiare të familjeve ka qëndruar në të njëjtin nivel me 3-mujorin e dytë të vitit.
Wednesday, 19 October 2011 13:55