Ka përfunduar pa incidente tubimi në Vidovdan përderisa Policia e Kosovës ka filluar përcjelljen e 10 autobusëve nga Serbia që kishin ardhur në këtë tubim.
Deri me tani nuk është raportuar për incidente, përderisa patriarku Irinej në fjalën e tij i ka lutur serbët e Kosovës që të kthehen, siç ka thënë ai, “në vendlindjen e tyre”.
Tubimi i serbëve në Gazimestan sivjet ka qenë shumë më i qetë se viteve të mëparshëm kur ka pasur edhe arrestime të serbëve nga ana e Policisë së Kosovës për shkak të provokimeve që kanë bërë serbët qoftë me mbishkrime të ndryshme nëpër autobusë, raporton Express.
Irinej: Serbë, mos e harroni Kosovën
Pas mbajtjes së liturgjisë fetare në Gazimestan të tubuarve ju ka drejtuar Patriarku Irinej i cili ua ka dhënë një mesazh serbëve të pranishëm që nuk guxojnë ta harrojnë Kosovën.
“Asnjë serbë nuk guxon ta harrojë Kosovën sepse Kosova është e tyre”, ka thënë Irinej.
Patriarku po ashtu ka thënë se në këtë ditë të gjithë duhet të kujtojnë trimat që ranë në këtë betejë për Kosovën, duke aluduar në Betejën e Kosovës.
“Prandaj kërkojë që të gjithë serbët e Kosovës të kthehen në Kosovë në Kishat e tyre, në Tokat e tyre”, ka thënë Irinej, duke përmendur me radhë qytetet e Kosovës për të cilat ai ka thënë se janë serbe.
Friday, 28 June 2013 14:58