Tiranë – Kryeministri Berisha priti sot në takim në selinë e Këshillit të Ministrave, ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili i parashtroi kryeministrit kërkesën për të mbështetur kandidaturën e tij në postin e lartë të Presidentit të Republikës, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi në kuadrin kushtetues do të ishte i dobishëm për vendin dhe objektivat e tij, si dhe duke evokuar disa nga marrëveshjet e arritura në të shkuarën në zgjidhje të sfidave të vendit.
Kryeministri Berisha e garantoi zotin Nano se ai personalisht dhe si kryeministër vlerëson të gjitha marrëveshjet e arritura së bashku në të shkuarën në interesin më të mirë të vendit dhe kontributin e këtyre marrëveshjeve në zgjidhjen e sfidave e problematikave.
Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se qëndrimi i bërë tashmë publik, në mënyrë të përsëritur prej tij ndaj kandidaturës së zotit Nano për President të Republikës, ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme në këtë spektër dhe se ai mbështet dhe do të mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës.
Kryeministri Berisha theksoi se pas kthimit nga Samiti i Chikagos ai do të hapë negociatat me aleatët e tij, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë, i bindur se maxhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për t’i dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës. (LajmeShqip.com)
************************************
Tiranë – Ish-kryeministri socialist, Fatos Nano, u takua të enjten me kryeministrin Sali Berisha, për t’i kërkuar këtij të fundit mbështetjen e maxhorancës në përpjekjet e tij për t’u zgjedhur Presidenti i ri i vendit.
Nano hyri në selinë e Kryeministrisë në orën 14:30 dhe doli prej saj në orën 15.10 minuta, pa bërë asnjë deklaratë për mediat lidhur me bisedën e zhvilluar me kreun e Qeverisë.
Me takimin e sotëm, i cili ishte vlerësuar dhe më i rëndësishmi, Nano mbylli ciklin e takimeve konsultuese me kryetarët e partive parlamentare, në kuadër të prezantimit të platformës së tij për garën e ardhshme presidenciale.
Ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, që nga shpallja e kandidaturës së tij, u takua me të gjithë krerët e partive parlamentare, nga disa prej të cilëve mori dhe mbështetjen për ambicien e tij për postin e Kreut të shtetit.
Thursday, 10 May 2012 15:16