Lajme Shqip Wednesday, 28 December 2011 10:56

Mitrovicë- Në veri të Kosovës, strukturat paralele dhe kriminale serbe dhe që përkrahen nga Qeveria e Beogradit, janë të përçara përsa i përket marrjes së vendimit për mbajtje të referendumit mbi pranimin apo jo të institucioneve të Kosovës në veri. Leposaviçi, udhëheqësia e të cilit i përket partisë së presidentit serb Boris Tadiç, ka hequar dorë përfundimisht nga kjo iniciativë.

Ndërkohë, Zubin-Potoku dhe Zveçani që udhëhiqen nga pariate e DSS- e Voisllav Koshtunicës, dhe Mitrovica që udhëhiqet nga radikalët e Tomisllav Nikoliçit, kanë vendosur që të mërkurën delegatët e kuvendeve të tyre të deklarohen rreth referendumit.

Në tri nga katër komunat në veri të Kosovës, të mërkurën do të mbahen mbledhjet e të ashtuquajturave Kuvende Komunale, ku kuvendarët do të debatojnë për iniciativën që në veri të Kosovës të organizojnë referendum, për të cilin qytetarët do të deklarojnë nëse janë dakord me praninë e institucioneve të Kosovës, apo jo. Në anën tjetër, në komunën e

Leposaviçit një takim i tillë i Kuvendit Komunal nuk është thirrur dhe nuk do të mbahet. Branko Niniç, i ashtuquajturi kryetar i komunës së Leposaviçit, ka theksuar se mbledhja e kuvendit komunal në këtë qytet nuk është thirrur, dhe se personalisht i rezervohet idesë që banorët e veriut të Kosovës të deklarohen me referendum për çdo problem apo për çdo institucion.

Niniç ka shtuar se pa marrë parasysh çdo udhëheqësi apo kuvend të çdo komune në Serbi, nuk ka mandate për të thirrur referendum dhe se çdo lëvizje politike e komunave në veri të Kosovës duhet të jetë në marrëveshje me udhëheqësinë e Serbisë, pra me Qeverinë e saj.

Ndërsa i ashtuquajturi kryetar i komunës së Mitrovicës Kërstimir Pantiç, ka theksuar se të mërkurën në Mitrovicë do të mbahet mbledhja e kuvendit komunal, ku delegatët do të deklarojnë rendin e parë të ditës rreth mbajtjes së referendumit.  Mbajtjen e një takimi të tillë në Zuibin-Potok e ka konfirmuar edhe kryetra e kuvendit të këtij qyteti Stevan

Bozhoviç. Po ashtu, edhe kryetra e komunës së Zveçanit Dragisha Milloviç ka konfirmuar mbajtjen e mbledhjes dhe deklarimit pro apo kundër referendumit.