Prizren – Prokurorja e EULEX-it, Natasha Vikeri, ka dhënë sot fjalën e fundit për 2 pikat e para të aktakuzës për rastin e kreut të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe 5 drejtorëve të tjerë komunalë, të cilët janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë ushtrimit të detyrës, raportoi RTK. Prokurorja ka kërkuar 1 deri ne 8 vjet heqje lirie për Mujën dhe të tjerët.
Pas përfundimit të seancës, si çdo herë tjetër avokati i Mujës, Rruzhdi Berisha, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që, Prokuroria e EULEX-it e ngarkon klientin e tij, Ramadan Mujën. Sipas tij, nuk ka elemente që veprimet e Mujës përbëjnë vepër penale, por vetëm shkelje procedurale, që nuk do të thotë se qëndrojnë edhe elemente të veprës penale.
Kryetari Ramadan Muja, gjatë marrjes në pyetje, ka deklaruar se të gjitha vendimet që i ka marrë, kanë pasur për bazë interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Prizrenit.
Dy pikat e para të aktakuzës së sotme ngarkojnë kryetarin e komunës Ramadan Muja, drejtorin e administratës, Minir Krasniqi dhe ish ushtruesin e drejtorisë për gjeodezi dhe kadastër Avni Ademin, për dhënien në shfrytëzim të tokës në Boka- Boka, për ndërtimin e kolegjit Mehmet Akif dhe fabrikën e çokollatës “Kamila” Leximi i pikës 3 dhe katër nga prokurorja Vikeri do të bëhet në seancën e radhës, më 10-të shkurt.
Një prokurore e EULEX-it, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Sadik Paçarizin – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademajn – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimerin – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejecin – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqin – drejtor i Administratës, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Monday, 27 January 2014 15:46