Uashington – Ministria amerikane e Mbrojtjes planifikon ulje të numrit të përgjithshëm të pjesëtarëve të Forcave të armatosura të SHBA-së për disa dhjetëra mijë persona, në kuadër të revizionit afatgjatë të strategjisë ushtarake të iniciuar nga masat për kursim, qëllimi i së cilit është ulja e deficitit buxhetor të vendit gjatë 10 viteve të ardhshme.
Plani për zvogëlimin e Armatës amerikane pritet sot që zyrtarisht ta kumtojnë presidenti i SHBA-së, Barak Obama dhe ministri i Mbrojtjes, Leon Paneta.
Në dhjetë vitet e ardhshme Pentagoni duhet t’i zvogëlojë shpenzimet e veta për rreth 450 miliardë dollarë, që do të thotë edhe ulje e numrit të Forcave tokësore dhe të Korpusit të Marinës për dhjetë deri 15 për qind, ose për disa dhjetëra mijë ushtarë.
Me këtë plan, sipas analistëve, me siguri do t’i jepet fund strategjisë shumë vjeçare për mbajtjen e numrit të Forcave të armatosura amerikane në vëllim që të mund të zhvillohen dy luftëra në të njëjtën kohë.
Sipas planeve për strategjinë e re ushtarake të SHBA-së, parashikohet ulje e vëllimit të ushtrisë tokësore, por nga ana tjetër edhe përforcim i forcave të aviacionit dhe atyre detare të stacionuara në bazat në Azi.
Strategjia e re e tillë bazohet në përvojën e intervenimit ushtarak në Libi, ku sipas ekspertëve ushtarak u tregua se është e mundur që të zhvillohen operacione luftarake edhe në kushtet kur në terren nuk ka vazhdimisht forca të shpërndara.
Zvogëlimi i mjeteve buxhetore për Armatën pritet të haset në kritika të ashpra nga ana e republikanëve në Kongres në prag të zgjedhjeve presidenciale në muajin nëntor të këtij viti. Prandaj, sipas analistëve, pritet që Obama të tentojë ta mbajë rritjen e buxheti ushtarak, edhe pse kjo rritje e mjeteve për nevojat e forcave të armatosura do të jetë më i vogël sesa në vitet paraprake.
Thursday, 05 January 2012 14:30