Lajme Shqip Monday, 26 December 2011 22:00

Londër – Ai mund të duket si shënjestër e lehtë për të shënuar gol, por kundërshtarët tashmë janë bindur se e kanë të vështirë ta mposhtin portierin Colin Lee. Lee, 72-vjeçar, luan çdo fundjavë futboll edhe zyrtarisht është portieri më i vjetër në Britani. Ai është pjesë e ekipit të veteranëve të qytetit Northampton dhe zhvillon ndeshje kampionale çdo fundjavë.

Ai karrierën e ka nisur në moshën 6-vjeçare. Ishte viti 1945 kur Lee shqelmoi topin për herë të parë në oborrin e shkollës së tij.

Pensionisti anglez edhe jashtë fushës është i lidhur me futbollin. Ai për momentin kryen punën e sekretarit në tetë skuadra amatore të futbollit në qytetin e Northamptonit, që është vendlindja e tij. Për punën e tij të palodhshme dhe kontributin në futboll, Lee është shpërblyer me çmimin “Barclays Community Sports Award”.

Ai gjithashtu është edhe tifoz i çmendur, simpatizon me gjithë zemër skuadrën e Wolverhamptonit që bën gara në Premier League dhe zë vend në pjesën e poshtme të tabelës.

“Duhet të jesh i çmendur si unë që të jesh portier për një periudhë kaq të gjatë. Nuk mendoj se ende më ka ardhur fundi, pasi synoj ende të ruaj portën e ekipit tim”, tha Lee, i cili kohët e fundit po aktivizohet vetëm në 20 minutat e parë të ndeshjes. “Më pëlqen të hidhem para portës sime si i çmendur dhe të mos lejoj topin të futet në rrjetë. Kam pasur shumë ndrydhje, por për fat të mirë po bëhen gati 70 vjet që jam portier dhe asnjëherë nuk jam lënduar”.

Ai karrierën e ka nisur në vitin 1949 si qendërmbrojtës, kurse në pesë dekadat e fundit ka qenë portier. Gjatë karrierës ka ndërruar gjashtë skuadra.

“Ende po ndihem si një djalosh gjashtëvjeçar në zemër kur po luaj çdo fundjavë, ndonëse trupi im thotë të kundërtën. Do të vazhdoj të luaj derisa të qëndroj në këmbët e mia”.

Lee është aq i etur për të luajtur futboll, saqë duke filluar nga viti tjetër do të angazhohet edhe në një ekip tjetër të veteranëve, për të pasur sa më shumë ndeshje brenda një jave.