Shkup – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se “vazhdon të trillojë dhe të shpikë fajtorë për të arsyetuar dështimet e veta duke u tallur me votuesit e vet si dhe me gjithë shqiptarët kudo qofshin që janë ata”.
Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të PDSH-së, Luan Tresi në konferencën për shtyp deklaroi se BDI ka manipuluar me deklarimet e saj lidhur me Enciklopedinë, Kishën në Kalanë e Shkupit, bustet në sheshin e Shkupit.
“Edhe pse disa herë zyrtar të BDI-së deklaruan se enciklopedia është tërhequr, armëpushimi i cili u thye nga akademia shkencore merr skalpin e radhës nga Aliu duke e shpërndarë të njëjtën maqedonasve si një nga arriturat e Gruevskit në të cilën neve na cilësojnë si ardhacak, primitiv, njerëz të malit, me prejardhje rome etj. Pra e njëjta nuk është e tërhequr. Pasi që nga BDI tha se objekti është muze, pastaj se është kishë por nuk do të ndërtohet, tani po na del Gruevski me premtimin se kisha në Kala do të ndërtohet. Ndoshta kjo na qenka marrëveshja për koalicionimin e radhës”, tha Luan Tresi nga PDSH-ja.
Duke folur për bustet në sheshin e Shkupit, Tresi theksoi se disa herë radhazi u premtua vendosja e busteve të shqiptarëve në sheshin e Shkupit, por si duket ata ende nuk kanë mbërritur.
“Ndoshta presin ditë më të mira që të aterojnë në sheshin e stërmbushur dhe monoetnik dhe t’i bëjnë shoqëri Goce Delçevit, Karposhit, Klimentit, Karevit, Komitëve apo Gemixhinjëve. Derisa populli vuan për kafshatën e gojës, ju talleni duke premtuar vendosjen e busteve duke e kompletuar ashtu projektin Shkupi 2014”, u shpreh Tresi.
Sipas tij, manipulimet e BDI-së nuk kanë fund.
“Përfaqësuesit e BDI-së në krye me liderin e tyre nuk manipulojnë vetëm me projekte por edhe me shifra”, tha ai.
Tresi ftoi qytetarët shqiptarë që “ta dënojnë këtë qeveri VMRO-BDI dhe ta legjitimojnë platformën e PDSH-së me dy shtyllat e saj kryesore – vendimmarrja e përbashkët dhe hisja e shqiptarëve në buxhet”.
Kanë reaguar në BDI, duke thënë se merren vetëm me gjendjen faktike.
“Enciklopedia u tërhoq nga përdorimi për shkak të pjesëve kontestuese për popullin shqiptar, dhe kjo pas reagimit të mediave, shoqërisë civile dhe BDI-së si partner i koalicionit. Ky është fakt. Ndërtimi i objektit fetar në Kalanë e Shkupit u ndërpre, madje edhe ju e dini mirë se si u bë kjo, pasi ju ishit në vendngjarje një apo dy ditë pasi u ndërprenë ndërtimi. Sa për Shkupin 2014, mund të jeni të mërzitur se ky projekt i juaji (të cilin e trashëguam), nuk ka më vetëm objekte të cilat përfaqësojnë ekskluzivisht etnitetin maqedonas, ashtu siç planifikuat ju në atë kohë, me nënshkrimin e Arifikmet Xhemailit i cili qëndron pas liderit tuaj në çdo takim”, kanë thënë në BDI.
Wednesday, 25 May 2011 17:56