Prishtinë – Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e zhvilluar sot, nën drejtimin e kryetarit të saj, Hashim Thaçi, diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për objektivat politike të kësaj partie për vitin 2012.
“Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet në përmbushjen e të gjitha parakushteve që viti 2012 të jetë vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur”, theksoi në mënyrë të veçantë kryetari i PDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Anëtarët e Kryesisë diskutuan edhe për kërkesën e Komisionit për Amendimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe unanimisht i dhanë mbështjetje mandatit të ri të këtij Komisioni, u njoftua sot pasdite në një komunikatë të PDK-së.
Komisioni për Amendimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës, fundvitin e kaluar ka miratuar në parim propozim-amendamentet kushtetuese, të cilat mundësojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit.
Komisioni, po ashtu, ka shprehur gatishmërinë që në kuadër të mandatit të ri, të shqyrtojë edhe dispozitat kalimtare që lidhen më pavarësinë e mbikëqyrur, nëse për këtë ekziston vullneti politik.
Propozim-amendamentet kushtetuese, së bashku më projektligjin për zgjedhjen e Presidentit, do të dorëzohen në Kuvend para datës 22 janar, kur edhe përfundon mandati aktual i Komisionit.
Thursday, 05 January 2012 18:00 