Prishtinë- Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, në pyetjet që ai ditë më parë ia ka drejtuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti për korrespondencën me vajzën e një ish-ministri të Sllobodan Millosheviçit dhe për takime të fshehta me serbë. Selimi akuzoi SHIK-un e shuar në vitin 2008, se po vazhdon ta mbajë nën presion opinionin publik.
“Mjaft me këto shantazhe e me këto presione ndaj opinionit. Nëse mendoni se mund t’i bëni dikujt presione e shantazhe me afatizime e keni gabim. Nëse doni t’i frikësoni të tjerët me presione prapë e keni gabim. S’ua ka frikën askush më. Por nëse doni të mbani pushtetin e ta ndërroni me njëri-tjetrin postin e kryeministrit, prapë e keni gabim. Tashmë është tepër vonë për ju”-tha ai.
Në anën tjetër, pas seancës, edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, e quajti shantazh paraqitjen e deputetit Selimi në foltoren e Kuvendit lidhur me këtë çështje, përderisa për deputetin Haxhiu, tha se ka qenë shumë i qartë.
Deputeti Haxhiu i ka dhënë tashmë një afat Kurtit, dhe ai sipas tij duhet të përgjigjet edhe gjashtë ditë, për sic thotë rreth kontakteve që Kurti ka pasur me serbë.
Thursday, 02 February 2012 16:24