Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 11:14

Tiranë- Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi sot me anë të anëtarit të kryesisë së PDIU-së Durrës, Sali Bajo, mbi kthimin e qytetarëve shqiptarë që kanë lindur nga Çamëria, në kufijtë e Greqisë, i cili është kthyer në një fenomen të përsëritur.

Ai tregoi historinë e tij personale se si tre ditë më parë iu refuzua hyrja në Greqi dhe se si iu kërkua të firmoste një deklaratë në greqisht, dhe pasi nuk deshte ta firmoste u ushtrua edhe presion nga ana e policisë greke, duke shkelur të drejtat themelore të njeriut.

“Këto akte ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i konsideron të patolerueshme dhe të dënueshme. Shkelja e të drejtave themelore të njeriut nuk mund të cilësohet si një fenomen normal”, tha Bajo.

Sipas tij, shteti shqiptar duhet të veprojë ashtu siç i takon një shteti modern, për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vet.

“Tashmë është detyrë e Bashkimit Evropian dhe e të gjithë miqve të Shqipërisë të ndërhyjnë përpara se kjo sjellje të marrë përmasa të paparashikueshme”, përfundoi Bajo.