Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 10:57

Tiranë – PDIU shpreh mbështetje ndaj vendosjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës, si dhe të policësë dhe doganierëve, në pikat kufitare në kufirin verior të saj.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kjo forcë politike shprehet se ky veprim është bërë në koordinim me praninë e bashkësisë perëndimore, të vendosur në Kosovë, KFOR dhe EULEX. Sipas saj, bashkëveprimi në çdo hap me praninë ndërkombëtare e përforcon aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin, diçka që është element thelbësor për zhvillimin e Kosovës dhe pranimin e saj përfundimtar në bashkësinë e shteteve.

Për këtë PDIU, i kërkon miqve tanë në opozitën e Kosovës që të mbajnë parasysh këtë të vërtetë të madhe: çdo hap që ndërmerret në bashkëveprim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, duhet  të mbështetet dhe jo të kontestohet.

“E kundërta ndodh me Serbinë, e cila duke ju kundërvënë këtyre veprimeve të Kosovës, duke tentuar të destabilizojë veriun e Kosovës, po përplaset sërish me Perëndimin. Serbia duhet të zgjedhë midis anëtarësimit në BE dhe nxitjes së trazirave të armatosura kundër pranisë ndërkombëtare dhe shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratën për mediat.

Arsyeja e dytë, pse PDIU i konsideron zhvillimet në Veri si mjaft të rëndësishme për shtetin e Kosovës, është se me këto zhvillime nis në mënyrë të pakthyeshme procesi i vendosjes së sovranitetit në gjithë territorin.

“Ky do të jetë një proces i gjatë, por i pakthyeshëm. Prej perimetrit të territorit të Kosovës në gjithë Veriun, shteti i Kosovës do të rrezatojë autoritetin e vet në mënyrë graduale dhe paqësore. Ky proces i parë kështu, do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të faktorit shqiptar në Ballkan”, përfundon njoftimi për shtyp i PDIU-së.