Tiranë – PDIU reagon për lajmet lidhur me skandalin e korrupsionit të ish konsullit grek në Korçë, Ikonomu-s.
Zyra e shtypit e PDIU-së, me anë të një njoftimi për shtyp deklaron se, “ajo që PDIU priste dhe dyshonte po vërtetohet. Njeriu me xhup, njeriu që shkeli statusin e diplomatit, i vetëshpalluri hero i helenizmit, ish konsulli grek i Korçës, Teodoros Ikonomus rezulton nga hetimet e shtetit fqinjë, nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të vet, një hajdut që shiste viza. Kjo bëhet e ditur nga vetë mediat greke që pohojnë se për të po zhvillohen hetime”.
Po ashtu në njoftim thuhet se, PDIU kishte dyshime, se ky njeri që para procesit të regjistrimit bëri thirrje publike që haptazi shtetasit shqiptarë, bashkëkombasit tanë të komunitetit vlleh, të deklaroheshin grekë, kishte një kurajë të dyshimtë. E gjithë trimëria e tij, kuraja për të shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, vinte prej faktit që ky njeri tërë kohën bënte biznes me vizat e Bashkimit Europian, me vizat e vendit të vet, dhe herë pas here bënte si patriot.
PDIU si subjekti politik që ka denoncuar fuqimisht këtë pseudodiplomat, tregëtar vizash, shpreh bindjen se ky njeri do të marrë dënimin që meriton nga organet e drejtësisë greke.
“Ne shprehim kënaqësinë më në fund, që procesi i liberalizimit të vizave, i hoqi nga dora shtetit fqinjë, një mekanizëm pervers për ndryshimin e hartës etnike të vendit tonë. Rasti i ish konsullit grek të Korçës, ndjekja penale e tij, tregon ndërkohë, se bashkë me këtë proces, shitja e vizave për shqiptarët fatkeqë që donin të udhëtonin për arsye pune, për arsye shëndetësore dhe familjare në vendin fqinjë, ka qenë një dukuri normale. Por ky kapitull mori fund, dhe shqiptarët nuk kanë arsye për të ndryshuar identitetin e tyre”, thuhet në rdeklaratën për mediat nga PDIU.
Thursday, 22 March 2012 19:56