Lajme Shqip Thursday, 13 February 2014 15:37

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është pro reformës territoriale. Ky fakt u konfirmua nga deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, i cili deklaroi se partia e tij mbështet realizimin e reformës territoriale. Gjithashtu në fjalën e tij ai theksoi se, është e rëndësishme që të arrihet konsensusi mes dy partive të mëdha për këtë reformë të rëndësishme. 

Tahiri tha se PDIU-ja nuk ka diskutuar dhe nuk ka marrë asnjë vendim për t’iu bashkuar mazhorancës,transmeton Shekulli.

Pas takimit me ambasadorin e SHBA-ve Aleksandër Arvizu dhe premtimit se do të jetë katalizator i konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës, kreu PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka nisur një ditë më parë negociatat me palët. 

Ditën e djeshme ai ka zhvilluar një takim, me dy krerët e shumicës, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta.