Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 17:14

Pasiguritë në tregjet ndërkombëtare mund të bëjnë që euro të qëndrojë në intervalin mes 136 dhe 137 lekëve edhe në fillimin e vitit të ardhshëm.

Sipas një analize të Departamentit të Menaxhimit të Riskut në Credins Bank, në kushtet e goditjeve në tregjet ndërkombëtare, ku fokusi do të jetë zgjidhja politike dhe roli i bankes qendrore europiane ndaj monedhës së përbashkët, Euro mund të pasqyrojë rënien në këto nivele në kursin ndal lekut.

Por, nga ana tjetër, çdo forcim i Euros ndaj dollarit amerikan të pasqyrohet në një korrigjim në rritje të ngadaltë të kursit vendas në nivelin e mëparshëm, 139 lekë. Pasi arriti maksimumin historic në qershor të këtij viti, në vlerën e 142.8 lekë, kursi i euros u stabilizua në pjesën e fundit të vitit.

Sipas informacionit të Credins Bank, në ditët e fundit të Dhjetorit, euro ka regjistruar një kurs 0.84% më të ulët ndaj lekut, krahasuar me një vit më parë. Kursi i është rikthyer përsëri niveleve te shtatorit të vitit 2010, pasi pësoi rënie 2 javëve të fundit, duke prekur nivelin minimal prej 136 lekësh në muajin Dhjetor.

Rënia e shpejtë dhe e fortë e euros i detyrohet veprimeve të individëve që likuiduan shpejt pozicionet në monedhën e përbashkët europiane, por njëkohësisht edhe flukseve hyrëse të monedhës nga emigrantët në prag festash.