Mitrovicë-Pas insistimit të vazhdueshëm të drejtuesve të komunës së Mitrovicës, zyrtarët e UNMIK-ut kanë dorëzuar objektin e ish-Jugobankës, të cilën e kanë shfrytëzuar si seli të administratës së OKB në Mitrovicë.
Në pranimin-dorëzim e këtij objekti, i cili është në pronësi të Agjencisë Kosovar të Privatizimit, ka marrë pjesë kryetari i komunës, Avni Kastrati dhe zëvendësshefi i UNMIK-ut në Kosovë, Robert E.Sorenson.
Zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës bën të ditur se pas largimit të stafit të UNMIK-ut, të cilët do të vendosen në një objekt që kanë marrë me qira në një zonë tjetër në jug të qytetit, me ndihmën e autoshkallës së Brigadës së Zjarrfikëve është hequr edhe mbishkrimi “Jugobanka”.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se pas shumë pritjesh është realizuar kërkesa për lirimin e këtij objekti, që është shfrytëzuar nga UNMIK-u prej vitit 1999. “Është një objekt shumë i mirë në qendër të qytetit, në të cilin vitet e fundit ka pasur një numër simbolik të punëtorëve të UNMIK-ut”, u shpreh ai.
Kastrati sqaroi se pas largimit të rrethimeve përreth objektit do të nisë realizimi i projektit për rregullimin e shëtitores dhe sheshit para objektit të ish-Jugobankës. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 March 2012 19:51