Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 18:09

Tiranë- Kuvendi zyrtarizon shtyrjen tremujore të Faljes Fiskale duke miratuar aktin normativ që u jep mundësi qytetarëve dhe bizneseve të përfitojnë deri në fundin e muajit mars të këtij viti.

Gjatë diskutimit në Kuvend, palët politike bënë bilance të kundërta rreth efektit që solli falja në 6 muajt e parë.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, efektet mbeten jotransparente dhe duhej që në përfundim të afatit 6 mujor, të niste një fazë e re për ekonominë e vendit dhe jo të bëhej një shtyrje afati. Ndryshe nga pretendimet e opozitës, kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho, tha se, falja fiskale solli përfitime për 24 mijë qytetarë.

Sipas tij, kërkesa e lartë për të përfituar solli shtyrjen me tre muaj të faljes. Pavarësisht qëndrimeve pro nevojës për realizimin e një Amnistie të plotë fiskale, që do të fuste në tregun shqiptar një kapital të ri, kampet politike nuk konfirmuan nëse kjo mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.