Shkup – Të enjten ishte dita e fundit e kësaj përbërje parlamentare. Nga kjo datë deputetëve të përbërjes aktuale u ndërpritet mandati. Po këtë ditë deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Imer Aliu në fjalën shpërtheu me një varg akuzash në drejtim të partisë shqiptare në pushtet.
“Më në fund i erdhi edhe fundi kësaj shumice parlamentare, shumicë kjo e cila në këto tre vitet e fundit kanë përkrahur një politikë ekskluzivisht antishqiptare. Gjatë qeverisjes tre vjeçare VMRO-DPMNE dhe BDI pozita e shqiptarëve skajshmërisht është rënduar si pasojë e servilitetit të BDI-së, duke u vënë në shërbim të VMRO-DPMNE-së dhe platformës së tyre rilindja në 100 hapa”, deklaroi Aliu.
Sipas tij, kjo pozitë inferiore e BDI-së i mundësojë Gruevskit që pozita e vasalit të BDI-së ti mundësojnë Gruevskit realizimin e të gjitha projekteve me mbështetjen e BDI-së.
“Janë të shumta të dhënat që flasin për anashkalimin e shqiptarëve. Duke filluar nga ligji për përdorimin e gjuhës deri te nataliteti vetëm për nënat maqedonase, ligji për përdorimin e gjuhës i cili një kohë të gjatë u proklamua si një e arritur e madhe. Por ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nuk e parasheh gjuhën shqipe si zyrtare por si gjuhë të dorës së dytë”, theksoi deputeti Imer Aliu.
Ai po ashtu kujtoi se nga kjo garniture qeveritare mbeti i pazbardhur edhe rasti i vrasjes së Harun Aliut-Komandat Kushtrimit. “Kjo shumicë parlamentare varfëroi skajshmërisht shqiptarët. Me aktin e shpërndarjes së këtij Parlamenti e dimë se hyjmë në zgjedhje pa rregulla të caktuara dhe pa konsensus. “Shumica parlamentare rrezikon shumë në rast se manipulon me votën shqiptare”, porositi Aliu.
Nga ana tjetër deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ermira Mhemeti theksoi se kjo shumicë parlamentare dhe qeverisja e tanishme korrigjon politikat e gabuara që ka trashëguar PDSH-ja. “Dëshiroj të konstatojë një element që është konstant për këtë parti. Ata janë nacionalist sa herë që janë në opozitë, janë lojal sa herë që janë në pushtet”, akuzoi Mehmeti.
Thursday, 14 April 2011 17:04