Lajme Shqip Wednesday, 04 January 2012 19:00

Meksikë – Parashikuesi i vetëshpallur i fatit, meksikani Antonio Vasquez, ka parashikuar se Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, do të humbë në zgjedhjet e nëntorit.

“E ndjej se Obama do të humbë. Shumë do ta sulmojnë. Republikanët i kanë të gjitha paratë në SHBA dhe po bëjnë presion të madh në të për të bërë gabime”, tha orakulli meksikan.

Vasquez është përfaqësuesi më i njohur i parashikimit të fatit në mënyrën meksikane, ndërsa jeton në qytetin juglindor Catemac.

Ai parashikon fatin në fillim të çdo viti të ri në 25 vitet e fundit. Vasquez ka parashikuar se sivjet do të sëmuren me kancer edhe dy liderë tjerë të Amerikës Latine.

Vitet e fundit, nga kanceri janë sëmurë Presidentja e Argjentinës Cristina Fernandez, Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff, ish lideri brazilian Luiz Inacio Lula da Silva dhe Presidenti i Paraguait Fernando Lugo. Parashikuesi i madh ka paraparë se presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, i cili thotë se ka mposhtur kancerin, do të sëmuret rëndë sërish.

Vasquez, i cili “lexon” parashikimet nga letrat tarot dhe astrologjia, tha në një konferencë për gazetarë në Mexcio City se kanceri tek liderët e Amerikës Latine është rezultat i magjisë së zezë.

Ai parashikoi po ashtu pushtimin e Sirisë, por nuk saktësoi se kush do ta bëjë këtë. Vasquez tha se sivjet do të ketë më shumë probleme me Sirinë, sesa me Irakun ose Korenë.

Ky magjistar meksikan vitin e kaluar parashikoi se euro do të dobësohet dhe se recesioni do të kthehet në vendet e zhvilluara. Por, e huqi një parashikim kur tha se një lider i Amerikës Latine do të vritet. Vasquez e huqi me të madhe edhe parashikimin e tij të vitit 2008 kur tha se këngëtarja amerikane Britney Spears do të vdes.