Lajme Shqip Sunday, 10 March 2013 15:10

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se monumenti i luftës së dytë botërore në Velani që përkujton 220 pjesëmarrës të vrarë gjatë luftës së dytë botërore është në plan të rrënohet si pjesë e projektit të ministrisë së mjedisit për ndërtimin e kompleksit memorial Ibrahim Rugova.
Shoqata e Veteranëve të Luftës Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare dhe ruajtësit e trashëgimisë kulturore thonë se nuk dinë për rrënimin e monumentit.
Projektin e udhëheq Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila ka hapur tender për fillimin e punimeve të fazës së parë. Kompanitë fituese të tenderit priten të nënshkruajnë kontratën më 11 mars, 2013.
Vehap Shita, nënkryetar i kryesisë së shoqatës së Veteranëve të Luftës Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ), thotë se nuk di për rrënimin e monumentit.

Shita, 89 vjeçar, thotë se ministria e mjedisit nuk e ka ftuar shoqatën për të diskutuar për tjetërsimin e monumentit.

“Nuk besoj se ministria mundet të marrë vendim për rrëzimin e këtij monumenti”, Shita i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se as shoqata nuk do të pranonte shkatërrimin e monumentit ndërsa shtoi se, ish-kolegu i tij, Ibrahim Rugova e ka vendin e tij.

Monumenti në fjalë daton që nga viti 1960. Aty janë të varrosur eshtrat e pjesëmarrësve të vrarë gjatë luftës nacional çlirimtare, 1941-1945. (Gazeta Jeta në Kosovë)