Prizren (PLOTESUAR 29 Janar, 15:00) Ka filluar në Prizren protesta e organizuar nga një koalicion i organizatave joqeveritare kundër ligjit për Qendrën Historike të këtij qyteti, duke e cilësuar si diskriminues. 
Projektligji ishte përcjellë për miratim në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, por në seancën plenare më 7 dhjetor, me propozimin e dalë nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, u vendos heqja nga rendi i ditës i shqyrtimit të parë të projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ndaj të cilit ka pasur edhe më parë reagime.
Sipas organizatorëve të protestës, ligji do të krijonte “situata të reja favorizuese për një bashkësi të caktuar fetare, që paraqet diskriminim të qartë të qytetarëve të Prizrenit”.
*************************
Prishtinë-Një koalicion ad-hoc i organizatave joqeveritare të Prizrenit, ka paralajmëruar se do të zhvillojë të dielën një protestë, kundër Ligjit për Qendrën Historike të këtij qyteti, duke e cilësuar si diskriminues. 
Projektligji i cili ka kaluar për miratim në Kuvendin e Kosovës që prej vitit të kaluar, pritet të dikutohet në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës.
Sipas një deklarate të publikuar sot për shtyp nga organizatorët e protestës, ligji do të krijonte “situata të reja favorizuese për një bashkësi të caktuar fetare, që paraqet diskriminim të qartë të qytetarëve të Prizrenit”.
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës më 7 dhjetor 2011, me propozimin të Kryesisë së Kuvendit me përfaqësues të kryetarëve të grupeve parlamentare, deputetët votuan për heqjen nga rendi i ditës, të Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ndaj të cilit ka pasur edhe më parë reagime nga kjo organizatë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 January 2012 23:29