Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 22:50

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe në krye të delegacionit zyrtar, u nis sot drejt Shtetit të Vatikanit, me ftesë të Atit të Shenjtë, Papa Benediktit XVI.

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë do të priten në një audiencë të veçantë nga Papa Benedikti XVI, në prani të personaliteteve të larta të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, bëri të ditur zyra e shtypit e Presidencës.

Audienca, që do të zhvillohet në zemër të Selisë së Shenjtë, do të ketë në qendër të tij bisedime mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis vendit tonë dhe Shtetit të Vatikanit, ruajtjen e vlerave të bashkëjetesës ndërfetare, si dhe kontributin e bashkësive fetare në jetën e vendit dhe rolin e shtetit në ndihmë të tyre.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi pritet të zhvillojë edhe një takim zyrtar me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Tarçizio Bertone. (LajmeShqip.com)