Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 17:45

Tiranë- Partia Demokratike reagoi mesditën e së martës, pas akuzave të Presidentit të Republikës, duke e cilësuar këtë të fundit “përdhosës të institucionit të Presidencës, dekorues të persekutorëve dhe kamxhik të Edi Ramës”.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Edi Paloka ngriti një seri akuzash ndaj Kreut të shtetit, duke kërkuar prej tij të sqarojë demokratët për votën e dhënë për Edi Ramën, më 8 maj.

“Sa herë ka pasur detyrimin të fliste ka heshtur, ky quhet Bamir Topi. Për ata që nuk e dinë, duhet të ishte presidenti i të gjithë shqiptarëve, meqë më në fund vendosi të flasë, duhet t’u shpjegojë demokratëve që e votuan për të përfaqësuar shqiptarët, si Kryetar Shteti e jo si Spahi”, thuhet në deklaratën e Palokës.

“Më 8 maj e votove Ramën për shkak të pronarëve të ligjshëm të Tiranës, në trojet e së cilëve po ngrenë sarajet Koçoja, Besoja dhe Fideli, e të tjerë “tironca të vjetër” apo e votove kryetarin e partisë së Enver Hoxhës, (partisë së persekutorëve që dekretove për katër vjet në krye të prokurorisë e gjyqësorit), për të përmbushur një amanet të të përndjekurve politikë?”, vijon deklarata.

Sipas saj, “Topi është kamxhiku i Ramës, njeriu që përdhos institucionin e presidentit kur betohet për shenjtërinë e pronës dhe vetë e vjedh atë, kur qan të përndjekurit, por voton persekutorët, duke keqpërdorur karrigen për pazare dhe sevape personale”. (LajmeShqip.com)