Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 16:22

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka shkuar sot në Prokurorinë e Vlorës për të dorëzuar një kallzim penal lidhur me shkeljet e konstatuara gjatë ndërtimit dhe marrjes së lejes për ndërtimin e  “Kompleksin Jon” tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë në pronësi dhe të vjehrrit të kryetarit të PD-së, njëkohësisht kryetar i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Mësohet se kallëzimin Tahiri e ka bërë si kreu i Taskë Forcë.

“Kallëzimi është bërë pas njohjes me relacionet e paraqitura nga Inspektoriati Urbanistik Kombëtar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe dokumentet bashkëngjitur këtyre relacioneve.

Task-Forca ka analizuar situatën ligjore dhe faktike të objektit në ndërtimin “Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria “G.B-A KONSTRUKSION”, në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.Rr.T-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010.”- thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.

Përmes kësaj padie Ministri kërkon hetim tërësor të piramidës së personave të cilët favorizuan ndërtimin e “Kompleksit Jon”

“Në relacionin e paraqitur të përbërë nga 49 faqe, shkruhet se janë vërejtur shkelje të rënda të legjislacionit në fushën e pronësisë, në zbatimin e lejes së ndërtimit si dhe probleme të krijuara nga ky ndërtim në perspektivën e zhvillimit turistik të zonës. “Për të gjitha shkeljet e vërejtura, Kryetari i Task-Force për Mbrojtjen e Territorit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka bërë kallëzimin penal”- thuhet në njoftimin për shtyp.

Lajmi fillimisht u publikua nga A1Report e Shqiptarja.com. Pallati 8 katësh në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës, dhe është ndërtuar nga  G.B.A Konstruksion”

Hije të forta dyshimi janë ngritur për shkelje të ligjit lidhur me miratimin e lejës së ndërtimit të pallatit në pronësi të Xhafer Isufit, vjehrrit të kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh dhe kreut të Partisë Demokratike. Në fotot e publikuara nga gazeta dallohet qartë se kompania “G.B.A Konstruksion” ka kryer punime në shtratin e detit me sondë. Hedhja e masivit të gurëve brenda në det ka bërë që toka të shtohet në një distancë rreth 50 metra larg pozicionit të mëparshëm, duke krijuar një sipërfaqe artificiale të truallit. Më pas kjo sipërfaqe është arritur të hipotekohet në kundërshtim me të gjitha rregullat ligjore.

DERI TANI VETEM DREJTORI I URBANISTIKES NE HETIM 

Aktualisht lidhur me këtë ngjarje, asnjë person duke filluar nga pronarët e tokës, që është shtetasi Xhafer Isufi, por edhe nga pronarët e kompanisë që kanë marrë përsipër ndërtimin e objektit, nuk është hetuar dhe marrë në përgjegjësi penale, për një masakër të tillë, të bërë në afërsi të zonës më piktureske të qytetit të Vlorës, siç është zona e “Ujit të Ftohtë”. Për këtë çështje, nën akuzë është vënë vetëm drejtori i urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, inxhinieri Odhise Zoto. Ndaj këtij të fundit prokuroria ka kërkuar dënimin me 2 vjet burg dhe gjobë financiare. Zoto akuzohet nga organi i prokurorisë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” pasi ka paraqitur në mbledhjen e këshillit, materile të rreme dhe në kundështim me ligjin e urbanistikës.

LEJA ME FIRMEN E GJIKES 

Hije të forta dyshimi janë ngritur edhe për shkelje të ligjit lidhur me miratimin e lejës së ndërtimit të pallatit në pronësi të Xhafer Isufit. Sipas, burimeve pranë prokurorisë së Vlorës ndërtimi i pallatit, ka marrë spunto nga dy vendime të paligjshme, ku i pari bën fjalë mbi një akt-teknik dhe plan urbanstik tërësisht të paligjshëm të kryer nga shefi i urbanistikës, tashmë i pandehuri Odhise Zoto, si dhe një vendim tjetër që i ka ndezur dritën jeshile për ndërtimin e pallatit, që është vendimi i KRRT-së në bashkinë e Vlorës. Ky vendim është miratuar nga anëtarët e këtij këshilli, dhe më pas kryebashkiaku Shpëtim Gjika ka vendosur firmën e tij, duke i hapur rrugën ndërtimit të objektit që në qytetin e Vlorës njihet si “pallati i Lulzim Bashës”.  Leja e KRRT-së mban datën 17 gusht 2010.

SI U BLLOKUA NGA INUK PALLATI DHE ME PAS U LIRUA 

Më 3 nëntor 2013 inspektorët e INUK bllokuan pallatin në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë, Xhafer Isufi. Qëllimi ishte verifikimi i dokumentacionit, pasi sipas inspektorëve të INUK një gjë i ishte kërkuar pronarëve por ata kishin refuzuar dorëzimin e letrave.
Një ditë më pas më 4 nëntor 2013, 11 persona banorë dhe pronarë të komplesit “Jon” iu  drejtuan Gjykatës Administrative Vlorë, ku kërkuan shfuqizimin e aktit adminsitrativ të INUK, që bllokonte hyrje-daljet e banorëve të kompleks si dhe heqjen e shiritit rrethues në hyrje të kompleksit. Më 7 nëntor 2013, Gjykata administrative vendosi të pranojë kërkesë padinë civile të 11 banorëve dhe pronarëve të pallatit, duke hequr shiritin policor të vendosur nga INUK dhe Policia e Shtetit. Pavarësisht këtij vendimi, INUK u shpreh se do e apelojë atë./Shqiptarja/