Shkup – Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, do të ballafaqohet me padi penale të ngritur nga aktivistja për të drejtat e njeriut, Mirjana Najçevska dhe një grup qytetarësh.
Padia penale, sipas nismëtarëve të saj, është ngritur për shkak se më 20 qershor të vitit 2012, presidenti Ivanov ka refuzuar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me këtë ka bërë veprën “moszbatim i vendimit gjyqësor” të paraparë në nenin 377 të Kodit Penal.
Aktivistja Najçevska ka kërkuar nga Prokuroria Publike të marrë në shqyrtim këtë padi penale dhe të konstatojë gjendjen faktike.
Bëhet fjalë për dekretin me të cilin presidenti Ivanov shpalli Ligjin e ri për Lustrim, të sjellë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, raporton INA.
Për të njëjtën vepër, një grup intelektualësh paditën gjithashtu 35 deputetët të cilët votuan ligjin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 11:30