Prishtinë – Zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka marrë çmimin “Gusi Peace Prize International” në Manila, kryeqytet i Filipineve.
Sipas njoftimit të dhënë pak më parë nga zyra e tij, zv/kryeministri Pacolli u prit me duartrokitje në sallë, i shoqëruar nga një ushtarak filipinas me veshjen e nderit që valëviste flamurin e Kosovës. Çmimi “Për aktivitetin ekonomik, qeverisje dhe kontribut humanitar” iu dorëzua z. Pacolli nga Princesha e Tajlandës, Luang Rajadarasri Jayankura.
Në motivacionin e çmimit në webfaqen e fondacionit shkruhej “për qasjen e tij krijuese në biznesin e ndërtimit që la gjurmë në të gjithë botën; për sensin e tij të ndërmarrësisë; për aktivitetin e tij filantropik në vendin e tij Kosovë, dhe për angazhimin e tij aktiv në pajtimin e politikës shqiptare në Kosovë, në përputhje me frymën më të mirë të popullit të tij”.
Në fjalën e tij, pas marrjes së çmimit të lartë, zv/kryeministri Pacolli tha se ndihej i nderuar që merrte këtë çmim së bashku me personalitete të shquara nga e gjithë bota. Ai tha se i përket një populli që luftoi shumë për paqen dhe lirinë, dhe bashkë me to, fitoi dhe pavarësinë. “Unë vij nga një popull i vogël, të cilit i përket Nënë Tereza, dhe unë do të vazhdoj të punoj fort për paqen”, tha Pacolli.
Përpara marrjes në Filipine, të çmimit Gusi Peace Prize International, dhënë nga një juri ndërkombëtare, Pacolli pati takime të rëndësishme në funksion të turit të tij lobues në Azi.
Friday, 25 November 2011 08:30