Prishtinë – Behgjet Pacolli dhe kabineti i tij, për 35 ditë mandat në krye të Presidencës së Republikës së Kosovës, kanë shpenzuar hiq më pak se 65 mijë euro vetëm pije (përfshirë kafe, çaj, lëngje dhe pije të tjera të gazuara).
Kështu bëjnë të ditur faturat e shpenzimeve të Presidencës së Kosovës, për periudhën në të cilën Pacolli ka udhëhequr me këtë institucion. Këto fatura i ka parë portali Lajmeshqip.com.
Në ndërkohë, një zyrtare tjetër e lartë nga radhët e Koalicionit për Kosovë të Re, ka bërë një shpenzim tjetër marramendës në dikasterin që udhëheqë, në Qeverinë e Kosovës.
Po sipas burimeve të Lajmeshqip.com, Mimoza Kusari–Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, me të filluar të mandatit ka bërë hapin e parë të madh – ka urdhëruar ndërrimin e menjëhershëm të mobileve dhe të inventarit në zyrën e saj.
Me arsyetimin se ngjyra e mobileve të mëparshme në zyrë, është monotone dhe nuk i pëlqen, ajo për guston e saj ka blerë mobile të reja, në vlerë prej hiq më pak se 40 mijë eurosh, në kohën kur ende nuk ishte miratuar Buxheti i Kosovës për vitin 2011.
Me të marrur të përgjegjësive në Presidencë dhe në Qeverinë e Kosovës, zyrtarë të Aleancës Kosova e Re dhe të koalicionit të partive rreth saj, ishin deklaruar bujshëm se do të jenë kursimtarë të parasë publike, kurse, për më shumë, edhe solidarë me të tjerët, duke ndarë pagën e tyre.
Ish-Presidenti Pacolli pati deklaruar se pagën e tij, në vlerë mbi 3 mijë eurosh do t’ua ndajë dhjetë familjeve të varfëra, kurse inventarin e tërë të zyrës së Presidentit e kishte ndërruar, duke thënë se ka blerë inventar tjetër, më të pëlqyeshëm dhe më të bukur, për shijen e tij dhe me paratë e tij.
Pacolli më nuk është President i Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se në procedurat e zgjedhjes së tij është shkelur akti më i lartë juridik të vendit. Pasues në fronin e parë të Republikës është Atifete Jahjaga, pa përkatësi partiake dhe një ish-udhëheqëse e Policisë së Kosovës.
Po sipas burimeve të Lajmeshqip.com, Presidentja Jahjaga i ka larguar nga zyrat e saj mobilet e Pacollit, të cilat ky i fundit kishte deklaruar se do t’ia lë dhuratë presidentit të ardhshëm. Bashkëpunëtorë nga kabineti i saj bëjnë të ditur se ajo ka vepruar kështu duke respektuar ligjin, sipas të cilit, asnjë zyrtar i shtetit nuk mund të pranojë dhuratë në vlerë më të lartë se 50 euro, nga kushdo qoftë.
Gjithashtu, në kuadër të shifrave në arenën presidenciale, flitet edhe për një një refuzim tjetër që ka bërë Presidentja Jahjaga.
Ajo i ka kthyer pas pakon me një dhuratë në vlerë prej 5.700 eurosh pronarit të kompanisë “Devolli”, i cili ia kishte dhuruar Presidentes së re të Republikës, në shenjë respekti dhe dashamirësie për të, në postin në të cilën sapo ishte zgjedhur.
Kutia me shifrat dhe paratë në Presidencën e Kosovës duket se veç ka filluar të hapet.
Tuesday, 26 April 2011 10:56