Lajme Shqip Monday, 18 February 2013 16:35

Bruksel – Deputetja gjermane e Parlamentit Evropian, Doris Pack në një intervistë dhënë Radio Dukagjinit është shprehur e bindur se në fund të bisedimeve Kosovë-Serbi, procesi do të rezultojë me ulësen e Kosovës në OKB.

“Mendoj se ky është njëri ndër qëllimet kryesore dhe shpresoj shumë që një gjë e tillë të ndodhë. Por, unë nuk jam profete dhe nuk mund të ju them se çfarë do të ndodhë. Jam jashtëzakonisht optimiste që kjo do të ndodhë”, tha Pack.

Bisedimet do ta hapin temën e anëtarësimit në OKB

Edhe Ambasadori gjerman në Kosovës, Peter Blomeyer i ka thënë Radio Dukagjinit se në fund të procesit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë do të hapet edhe tema e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Gjermania ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe natyrisht se do të mirëpriste nëse Kosova do të bëhej anëtare e OKB-së. Megjithatë do të këshilloja për të më shumë durim, nuk duhet stërngarkuar negociatat që tash po zhvillohen me Serbinë por në fund kjo do të bëhet temë”, tha Blomeyer.(LajmeShqip.com)