Pacientët që hyjnë në dializë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës rrezikojnë të infektohen me sëmundjen infektive hepatit apo sarillaku, siç është i njohur në popull.
Kjo ndodh meqë hyrja në dializë bëhet para se rezultati i analizës së habiesit t’i kthehet Klinikës së Nefrologjisë.
Rrezikimin e pacientëve që janë në dializë nga pacientët që kanë hepatit e që futen për herë të parë në këtë aparaturë e ka pranuar drejtori i Klinikës së Nefrologjisë në QKUK, Ibrahim Rrudhani. Ai ka deklaruar se në klinikën që e udhëheq nuk e bëjnë analizën e hepatitit.
“Ne së pari i fusim në dializë e pastaj bëhet analiza”, ka thënë Rrudhani, i cili është i vetëdijshëm se në këtë mënyrë u rrezikohet jeta pacientëve. “Unë u kam bërë disa herë shkresa edhe drejtorit, edhe Bordit të ShSKUK-së për këtë çështje dhe u kam thënë që duhet të mundësohet kryerja e analizave në klinikë. U kam thënë që nuk marr përgjegjësi nëse pacientët e tjerë infektohen”, ka thënë ai.
Rrudhani ka deklaruar se kësaj klinike mund t’i mundësohet që të bëjë këtë analizë ngjashëm me shërbimin e Transfuzionit të Gjakut. /Koha Ditore/
Saturday, 10 October 2015 08:49