Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 08:02

Tiranë – Përfaqësuesja e OSBE-së për Mediat, Dunja Mijatoviç, deklaroi, gjatë një konference për shtyp në përfundim të vizitës së saj 4 ditore në Shqipëri, se “mungon pavarësia e mediave në vendin tonë”.

Përfaqësuesja e OSBE-së bëri apel për dekriminalizimin e shpifjes në mënyrë që gazetarët të punojnë të lirë. “Duhet të bëhet dekrimanilizimi i plotë i shpifjes në Shqipëri. Duhet një shpërndarje më e gjerë e reklamave qeveritare, jo sipas preferencave. Mirëprita deklatën e kryeministrit Berisha se, Shqipëria është e gatshme për ta dekriminalizuar plotësisht shpifjen. Gjithashtu, mirëpres deklaratën e kryeministrit sipas së cilës, liria e medias është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare dhe se ai do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë çështje” theksoi Mijatoviç.

Sipas saj, në vendin tonë ekzitojnë ligje të mira, por zbatimi i tyre nuk është në të njëjtën lartësi dhe kjo për shkak se, “mungon fryma e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve”, nënvizoi Mijatoviç. Përfaqësuesja e OSBE-së për mediat, gjithashtu evidentoi faktin se, shqiptarët duhet të dinë se media është në interes të tyre, publikut dhe jo për interesa personale të pronarëve. “Në të gjitha vendet e botës sot media është e kërcënuar. Kriza ekonomike dhe pagat jo të larta kanë bërë që gazetari të humbë rolin e hulumtuesit dhe të kthehet në një instrument të pronarit. Gazetari duhet të jetë e lirë, duhet të sfidoj zyrtarin, duhet të bazohet në fakte dhe të mos ketë frikë që këto fakte ti nxjerrë në dritën e diellit” nënvizoi Mijatoviç, në fund të konferencës të zhvilluar në Tiranë.

Kjo konferencë përmbyll vizitën e parë zyrtare të znj. Mijatoviç në Shqipëri, gjatë së cilës ajo u takua me Kryeministrin, zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Komisionin parlamentar të Edukimit dhe Medias, Ministrin e Drejtësisë, Ministrin e Inovacionit dhe të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Kryetaren e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, Drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, përfaqësues të shoqatave të gazetarëve dhe gazetarë. (LajmeShqip.com)