Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë, në ish-kampin e Tepelenës organizoi një veprimtari me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ku merrte pjesë edhe zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, transmeton AA.
Në mjediset e ish-kampit, ku u internuan mbi 3 mijë familjarë të kundërshtarëve politikë të regjimit, u vendos një pllakë përkujtimore në nderim të personave të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist.
“Kemi detyrimin të kujtojmë rreth 6.000 njerëz të varrosur në varre pa emër, në mbarë Shqipërinë, gjatë periudhës komuniste. Është e rëndësishme që të gjenden këta persona të zhdukur dhe të përpiqemi të zbulojmë të vërtetën e plotë, si për hir të familjarëve të tyre, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi”, tha Wilton.
Ai nxiti autoritetet shqiptare që të punojnë me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Wilton deklaroi se çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet me ndjeshmëri dhe përkushtim, si pjesë e një procesi më të gjerë për trajtimin e trashëgimisë që la regjimi komunist.
Ai përshëndeti nismat për të shndërruar disa objekte të komunizmit në objekte përkujtimore, si “Shtëpia e Gjetheve” në Tiranë apo Burgu i Spaçit.
Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen e qeverisë gjermane ka shpallur nismën për të promovuar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës se si të trajtohet e kaluara e Shqipërisë.
Në këtë aktivitet folën edhe zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula, drejtori i Përgjithshëm i Institutit të të Përndjekurve, Bilal Kola dhe ambasadori i Polonisë, Marek Jeziorski.
Wednesday, 02 September 2015 15:37