Lajme Shqip Thursday, 01 October 2015 12:38

Përfaqësuesit e tri partive opozitare, VV, AAK dhe Nisma sot përmes një konference të përbashkët për media në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, menjëherë pas ndërprerjes së seancës si rezultat i bllokimit nga ana e tyre, kanë paralajmëruar përshkallëzim të masave dhe eskalim të situatës në vend.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se opozita do t’i përshkallëzoj veprimet, duke thirrur edhe protesta në rrugë, që mund të qojnë edhe në eskalim të situatës në vend. Ai ka thënë se nëse kjo ndodhë, atëherë përgjegjës do të jetë kryeministri Isa Mustafa, i cili po refuzon të tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet e Brukselit, raporton lajmi.net.

Dhe se protestat do të jenë masive, ai ka thënë se këtë e dëshmon edhe peticioni kundër “Zajednicës” i nënshkruar mbi 100 mijë qytetar, të cilët sipas tij do të dalin edhe në rrugë për të kundërshtuar marrëveshjet.

Në konferencë ka folur edhe përfaqësuesja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, e cila gjithashtu ka thënë se kryeministri Mustafa duhet ta heq nënshkrimin nga marrëveshjet me Serbinë, ngase sipas saj këtë po ja kërkojnë edhe 100 mijë qytetarë përmes peticionit.

Ndërsa deputeti i Nismës, Haxhi Shala, ka thënë kjo situatë është si rezultat i një koalicioni të panatyrshëm, PDK-LDK.