Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 08:25

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kanë marrë mbrëmë konfirmimin nga ministri i Punëve të Jashtme i Sulltanatit të Omanit, Yusuf bin Alawi bin Abdulla për njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës nga ky shtet, njofton MPJ kosovare.

Kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Omanit janë pajtuar që shumë shpejt ndërmjet dy shteteve të lidhen marrëdhënie diplomatike, përmes shkëmbimit të ambasadorëve.

Takimi në mes kryeministrit Thaçi dhe Hoxhaj me ministrin e Jashtëm bin Abdullah është zhvilluar në Ambasadën e Sulltanatit të Omanit pranë OKB-së në Nju Jork.

Në ditët e ardhshme delegacioni i Republikës së Kosovës do të ketë takime të shumta me shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në përpjekje për të rritur numrin e njohjeve.