Lajme Shqip Thursday, 13 October 2011 17:27

Tiranë – Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, vlerësoi sërish pas dy viteve që rruga Durrës-Kukës-Morinë është në operim se ky ka qenë një ndër objektet më madhore të qeverisë shqiptare.

Në interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe, minsitri Olldashi tha se rruga gjithsej ka kushtuar 826.2 milionë euro, ndërsa vetëm tuneli i Kalimashit, rreth 5.6 km i gjatë ka kushtuar 250 milionë euro.

Kreu i MPPT, Olldashi tha se ky projekt është brenda të gjitha standardeve të sigurisë, pasi siç u shpreh Olldashi jo vetëm revistat shkencore ndërkombëtare por edhe IFC me të cilën qeveria shqiptare po bashkëpunon për kontratën e mirëmbajtjes së rrugës e ka vlerësuar këtë rrugë brenda standardeve.

Ministri Olldashi hodhi poshtë akuzat e opozitës se është rritur kosto e rrugës. Sipas Olldashit, vlera paraprake prej 418 milionë eurosh që kjo rrugë parashikohej të kushtonte ishte një vlerë orientuese që do të thotë se qeveria shqiptare synon që kjo rrugë të kushtojë 418 milionë euro.

Por, tha Olldashi, gjatë zbatimit të projektit në terren për shkak të strukturës gjeologjike apo terrenit që përshkon rruga, kostoja është rritur.

Ministri Olldashi tha se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë ishte një investim i mirë edhe për turizmin. “Ishte projektuar të shërbente për një trafik mesatar ditor rreth 1500 makina, por ajo i shërbeu gjatë këtij viti një trafiku prej 12 mijë makiansh në ditë gjatë këtij sezoni veror”, tha Olldashi.

Olldashi sqaroi gjithashtu se qeveria ka kompensuar kompaninë Bechtel-Enka në një vlerë prej 5.5 milionë euro për shkak të inflacionit dhe jo 120 milionë euro që pretendon opozita. Ky kompensim sipas Olldashit parashikohej në kontratë.

Punimet për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës Morinë nisën në vitin 2006 për të përfunduar në qershor të vitit 2009. Kjo autostradë e lidh Durrësin me vendkalimin kufitar me Kosovën në Morinë ndërsa kalon nëpër Milot, Rrëshen, Reps, Thirrë, Kalimash e Kukës ndër të tjera. Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe në të zhvillohet shpejtësi 80-120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës, rruga ekzistuese 180 kilometërshe që përshkohej për 6 deri 7 orë, është kthyer në një rrugë të shpejtë që të mund të kalohet për vetëm 2,5 orë.

Autostrada afron Kosovën me Shqipërinë dhe bregdetin e Adriatikut duke u lidhur edhe me një projekt të ngjashëm në Kosovë, autostradën Merdare-Vërmicë, momentalisht në zhvillim e sipër. Punimet në pjesën më të madhe të rrugës u kryen nga konsorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka.